Sport
Menaxherët "ankohen", për ta s'ka punë në Kosovë
Publikuar: 09.01.2012 - 12:05
Prishtinë, 9 janar - Futbollistëve të Kosovës u mungon shumëçka që duhet t'i ketë një futbollit me kualitete çfarë i kërkon tregu evropian i futbollit. Kështu të paktën kanë vlerësuar dy menaxherë kosovarë të futbollit, Nexhmedin Haxhiu e Remo Rashica, të dielën. Sipas tyre, aspekti fizik i futbollistëve kosovarë është jo i kënaqshëm për t'i kaluar provat te ndonjë skuadër jashtë Kosovës. Për ta dëshmuar këtë, thonë se ende nuk janë përcaktuar për asnjë futbollist nga Kosova që gjatë janarit t'i aranzhojnë ndonjë provë jashtë Kosovës. E afati kalimtar ka nisur.
Menaxheri Haxhiu e di goxha mirë kualitetin e futbollistëve që luajnë në Kosovë, meqë ai është edhe kryetar i klubit të futbollit Trepça, që më 2010 përfundoi si kampione e vendit.
"Mund të ketë ndonjë lëvizje, por shumë vështirë që mund të kalojnë në ndonjë klub të mirë, pasi futbollistët kosovarë nuk janë të
gatshëm të kalojnë provat te ndonjë klub i mirë. U mungojnë shumë gjëra që i duhet një futbollisti. Aspekti fizik është shumë i mangët te futbollistët e Kosovës. Tash për tash, nuk kam asnjë futbollist në plan", ka thënë Haxhiu.
Në të vërtetë, Fatos Beqiraj, është futbollisti i fundit i nivelit evropian që ka dalë nga Kosova. Atij po i bëhen katër vjet që ka braktisur Besën e Pejës dhe futbollin e Kosovës dhe tani luan në Dinamo të Zagrebit. Debatik Curri është ndër futbollistët e parë që pas luftës ka dalë nga Kosova. Në vitin 2005 kaloi nga Prishtina te Vorskla Potlava. Sot është pjesë e Gençelrbirligit. Gjashtë muaj më vonë pas Currit rrugën e tij e ndoqi edhe futbollisti nga Vushtrria, Armend Dallku, por pasi kaloi një kohë tek Elbasani. Vorsklës direkt nga Kosova e Vushtrrisë më 2007 iu bashkua edhe Ahmed Januzi. Në elitën e futbollit suedez luan edhe portieri i Kalmarit, Etrit Berisha. Kosova ka nxjerrë edhe disa futbollistë të tjerë pas luftës, por që ata luajnë në kategori të dyta apo edhe në të para, por të shteteve me liga relativisht të dobëta.
Menaxheri Rashica thotë se futbollistët kosovarë kanë shumë punë për të bërë.
"Ende nuk janë të gatshëm futbollistët nga Kosova për prova jashtë Kosovës, pasi kanë ende punë për të bërë. Këtë ma ka konfirmuar edhe trajneri gjerman i Prishtinës, i cili më ka thënë se duhet shumë punë për të arritur nivelin e Bundesligës 2. Tash për tash, nuk kam aranzhuar asnjë provë për asnjë futbollist nga Kosova", ka thënë Rashica që vepron në Gjermani.
Në të vërtetë, tek opinioni është krijuar përshtypja se niveli i Superligës së Kosovës qëndron më mirë këtë stinor. Por, trajnerët kosovarë insistojnë se cilësia nuk është rritur në krahasim më stinorin e shkuar, por vetëm shikueshmëria dhe organizimi i klubeve.
"Cilësia e futbollit të Kosovës ka ngelur aty ka qenë. Por, karakteristikë e stinorit 2011-2012 është se organizimi i klubeve, sidomos i skuadrave që kanë hyrë në Superligë ka qenë më i mirë. Shikueshmëria ka qenë në numër më të madh, e kjo ka qenë freski në futbollin tonë. Edhe të drejtat televizive që janë aplikuar për herë të parë në vendin tonë, e kanë bërë më interesante futbollin në vendin tonë", pati deklaruar më herët trajneri më i trofeshëm kosovar, Bylbyl Sokoli.